slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

Statuti i Partisë "Lëvizja e Legalitetit"

 

 

 

Kapitulli Nr.I

 

NENI 1
Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka lindur si lëvizje për mbrojtjen e legjitimitetit dhe rendit kushtetues. PLL është vazhduesja e ligjshme dhe e drejtpërdrejtë e ideve të Triumfit të Legalitetit si dhe e Organizatës Kombëtare "Lëvizja e Legalitetit" e cila frymëzoi popullin shqiptar në luftën kundër okupatorit nazi-fashist. PLL është një bashkësi politike e pavarur, e organizuar mbi bazën e vullnetit të lirë të shtetasve shqiptarë, mendimi ideopolitik i të cilëve përputhet me parimet themelore dhe aspiratat e kësaj partie.

 

NENI 2
Partia "Lëvizja e Legalitetit" përpiqet për Bashkimin Kombëtar dhe integrimin Euro-Atlantik dhe për rivendosjen në Shqipëri, me rrugë dhe mjete demokratike, të regjimit legjitim të Monarkisë Kushtetuese me në krye NMT Leka I-Mbret i Shqiptarëve dhe të Dinastisë së Tij.

 

Partia “Lëvizja e Legalitetit” është parti e njerëzve që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit.

 

Asnjë organ nuk ka  të drejtë të vendosë për pushimin e ekzistencës së Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.

 

NENI 3
Emri i partisë është Partia "Lëvizja e Legalitetit" shkurt PLL.

 

NENI 4
Selia qendrore e PLL ndodhet në Tiranë.

 

NENI 5
Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka vulën e vet e cila ka formën e rrethit. Në qendër është vendosur simboli i Partisë. Sipër simbolit është shkruar në formë harku “Partia Lëvizja e Legalitetit”. Ndërsa poshtë simbolit është shkruar Kryesia.

 

NENI 6
Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka simbolin dhe flamurin e saj. Simboli është shqiponja dykrenore me përkrenaren e Skënderbeut sipër.
Flamuri i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka formën e një katërkëndëshi të verdhë, në mesin e të cilit qëndron simboli vendosur mbi një pjesë të kuqe në formë shqyti. Mbi shqytin dhe simbolin është shkruar “Partia Lëvizja e Legalitetit” në formë harku, dhe poshtë simbolit është shkruar viti “1924”.

 

 

 

Kapitulli Nr.II

 

NENI 7
Partia "Lëvizja e Legalitetit" vepron si parti politike duke pasur disiplinë dhe demokraci të gjerë brenda saj,  në përputhje me normat e përcaktuara në këtë statut. Veprimtaria e Partisë "Lëvizja e Legalitetit" zhvillohet brenda territorit të Shqipërisë së sotme politike, por edhe jashtë këtij territori, kur një gjë e tillë lejohet nga legjislacioni i vendeve përkatëse.

 

NENI 8
Strukturat e Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ndërtohen dhe veprojnë sipas linjës vertikale. Në organet vendim-marrëse, vendimet e partisë merren me shumicë votash në përfundim të diskutimeve të lira.

 

NENI 9
Vendimet e marra nga organet drejtuese të partisë, janë të detyrueshme për zbatim nga organet e tjera vartëse në parti, sipas shkallës hierarkike.

 

NENI 10
Partia "Lëvizja e Legalitetit" është parti e hapur për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut.

 

Anëtar i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" mund të jetë çdo shtetas, që ka mbushur moshën  18 vjeç, me qëndrim brenda ose jashtë vendit, pavarësisht nga shtresa ose pozita shoqërore, kombësia, raca, seksi, botëkuptimi e besimi.
Anëtar i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" mund të jetë ai që pranon Programin dhe Statutin e Partisë, aktivizohet në veprimtarinë e saj, paguan kuotizacionin e anëtarësisë dhe nuk bën pjesë në të njëjtën kohë në një tjetër parti tjeter politike.

 

NENI 11
Nuk pranohen në radhët e Partisë "Lëvizja e Legalitetit":

 

Ish-anëtarët e nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, ish-anëtarët e Partisë Komuniste, ish-anëtarët e Partisë së Punës së Shqipërisë, ish punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Personat që kanë kryer krime politike kundër popullit ose për të cilët vërtetohet se janë bërë shkaktarë për të tilla krime.
Persona që u përmbahen pikëpamjeve komuniste, fashiste, raciste, antidemokratike, antihumane, luftënxitëse, terroriste, antipopullore e antikombëtare.
Ata që njollosin figurën e tyre morale dhe shoqërore.

 

Për raste të veçanta vendos Kryesia.

 

NENI 12
Pranimi i anëtarëve të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" bëhet në mënyrë individuale, sipas kërkesës së secilit, me shkrim, drejtuar njërit prej seksioneve të Partisë. Kërkesa shqyrtohet paraprakisht në seksionin e Partisë të rrethit përkatës ku banon. Pranimi i anëtarit është një kompetencë e degëve.

 

NENI 13
Anëtari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka për detyrë:
zbatojë, propagandojë dhe mbrojë programin, politikën, vendimet dhe qëndrimet e Partisë si dhe të respektojë Statutin dhe programin.
Të përmbushë detyrat që i caktohen në përputhje me Statutin dhe programin.
Të respektojë normat e bashkëjetesës demokratike në Parti.
Të zhvillojë frymën e transparencës, tolerancës, debatit konstruktiv dhe mirëkuptimit reciprok në Parti.
Të organizohet, angazhohet dhe kontribuojë maksimalisht në fushatat elektorale për arritjen e suksesit të Partisë.

 

NENI 14
Anëtari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka të drejtë:
Të marrë pjesë në përpunimin e politikës, të qëndrimeve e  vendimeve të Partisë në të gjitha nivelet, nëpërmjet diskutimit e debatit demokratik në organet e Partisë në të cilat bën pjesë ose ku varet, në shtyp dhe në forma të tjera demokratike; të shprehë lirisht mendimet e tij për të gjitha çështjet e Partisë si dhe mbi veprimtarinë e organëve dhe anëtarëve të saj.
Të zgjedhë e të zgjidhet në organet udhëheqëse të Partisë.
Të marrë pjesë në mbledhjet partiake të çdo niveli qofshin, ku shqyrtohen probleme që kanë të bëjnë me personin e tij. Për këtë njoftohet deri dy herë.

 

NENI 15
Anëtari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" nuk mund të veprojë dhe të deklarohet në emër të Partisë, pa qenë i autorizuar, ose pa e gëzuar këtë të drejtë nga organet drejtuese.

 

NENI 16
Anëtari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka të drejtën e daljes së lirë nga Partia me kërkesën e tij, duke njoftuar më parë seksionin e Partisë në të cilin bën pjesë ose ndonjë instancë më të lartë të Partisë.
Dalja nga Partia ose dorëheqja nga funksioni bëhet duke dorëzuar një njoftim me shkrim, duke dorëzuar teserën dhe duke njoftuar 15 ditë para largimit.

 

NENI 17
Përjashtimi nga Partia "Lëvizja e Legalitetit" bëhet në rastet e shkeljes së përsëritur të statutit të Partisë dhe programit të saj. Përjashtimi bëhet nga strukturat përkatëse të degës.

 

 

 

Kapitulli Nr. III

 

NENI 18
Organet kryesore të Partisë "Lëvizja e Legalitetit janë:
Kuvendi i Partisë
Këshilli Kombëtar
Kryesia
Kryetari i Partisë
Komisioni i Kontrollit dhe i Respektimit të Statutit (Kryesia e Senatit)

 

NENI 19
Kuvendi është organi më i lartë i Partisë "Lëvizja e Legalitetit". Ai mblidhet çdo katër vjet në vendin dhe ditën e caktuar prej Kryesisë.
Kuvendi analizon veprimtarinë e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në periudhën midis dy kongreseve.
Kuvendi miraton Programin dhe Statutin e Partisë, diskuton dhe përcakton vijën politike.
Kuvendi zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e Partisë "Lëvizja e Legalitetit" si dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Kuvendi miraton raportin financiar të paraqitur nga Kryesia për periudhën ndërmjet dy kongrese.

 

NENI 20
Kuvendi i Jashtëzakonshëm thirret kur e kërkojnë 2/3 e anëtarëve të Kryesisë dhe kur kjo kërkesë mbështetet nga 2/3 e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Mandati i delegatit të PLL është katërvjeçar.

 

NENI 21
Në Kuvend marrin pjesë me të drejtë vote:
Delegatët e zgjedhur nga Konferencat e degëve, në përputhje me numrin e përcaktuar nga Kryesia në bazë të kritereve: 50% prej anëtarësisë, e përcaktuar kjo 4 muaj para ditës së Kuvendit; 50% në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme.
Anëtarët e Kryesisë.
Deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive dhe të komunave, nëse janë anëtarë të PLL.
Ish kryetarët e Partisë, nëse janë akoma në Parti.
Kongresi nuk mund të shpallet më vonë se 60 ditë nga dita e skadimit të afatit katërvjeçar.

 

NENI 22
Këshilli Kombëtar mbikëqyr zbatimin e vendimeve të Kuvendit, të Programit dhe të Statutit nga ana e Kryesisë të Partisë.
Këshilli Kombëtar përbëhet nga Kryesia e PLL si edhe Kryetaret dhe Sekretarët e Degëve të PLL.

Këshilli Kombëtar zgjedh nga gjiri i vet kryetarin.

 

NENI 23
Këshilli Kombëtar miraton programin elektoral të PLL.

 

Këshilli Kombëtar përcakton pozicionin politik të PLL në zgjedhje, qëndrimet politike elektorale, aleancat para dhe pas zgjedhore.

 

Këshilli Kombëtar miraton kryesinë e partisë sipas funksioneve dhe që propozohen nga Kryetari i Partisë sipas procedurës së parashikuar në nenin 28 të këtij statuti.

 

Këshilli Kombëtar miraton listën e kandidatëve për deputetë, kryetarë bashkie, minibashkie dhe komune.

 

Këshilli kombëtar zgjedh Komisionin e Financës të përbërë nga 3 anëtarë.

 

Këshilli Kombëtar mblidhet jo më pak se një herë në vit.

 

Këshilli Kombëtar mund t’i delegojë Kryesisë të Partisë marrjen e vendimeve në raste dhe situata të veçanta.

 

NENI  24
Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar pas Kongresit bëhet në funksion të pikave “c” dhe “e” të nenit 23 të këtij statuti dhe thirret nga Kryetari i Partisë jo më vonë se 21 ditë pas përfundimit të tij. Nëse kjo nuk ndodh, Këshilli Kombëtar mblidhet vetvetiu brenda 30 ditësh nga përfundimi i Kongresit dhe  merr vendime në zbatim të kompetencave të veta.
Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe kur e kërkon Kryetari i Partisë, Kryesia ose Kryetari i Këshillit Kombëtar.
Ai mund të thirret gjithashtu me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

 

NENI 25
Kryesia është organi më i lartë ekzekutiv i Partisë "Lëvizja e Legalitetit". Ai është përgjegjës përpara Kongresit dhe Këshillit Kombëtar, organizon dhe drejton punën për thirrjen e Kongresit të Partisë, është përgjegjës për zbatimin e programit politik, Statutit si dhe të direktivave e rekomandimeve të Kongresit.

 

NENI 26
Kryesia drejton dhe bashkërendon gjithë veprimtarinë dhe organizimin e përgjithshëm të partisë, cakton redaksinë (ose redaksitë) e organit (ose organeve) qendrore të shtypit (medias) të Partisë, orienton dhe kontrollon punën e tyre.
Kryesia administron mjetet e përgjithshme financiare dhe materiale të partisë nëpërmjet Kryetarit.
Kryesia është përgjegjëse për organizimin e Kongresit si dhe vendos procedurat e zhvillimit të tij.
Kryesia vendos për kandidatët për deputetë si dhe për kryetarë të njësive vendore.
Kryesia udhëheq veprimtarinë e përditshme të PLL.
Kryesia e Partisë emëron Kryetarin e Degës të PLL deri në konferencën e degës në rast të braktisjes të dëtyrës ose dorëheqjes të kryetarit të degës si dhe në rast të mosfunksionimit të degës.

 

NENI 27
Kryesia i zhvillon mbledhjet plenare jo më pak se një herë në muaj.

 

Kryesia përbëhet deri në 17 vetë nga:
Kryetari i Partisë,
Zëvendës-Kryetarët
Sekretari i Përgjithshëm
Sekretarët
Anëtarët

 

Kryesi kooptohen kryetari dhe sekretari i Senatit, kryetarja e Forumit të gruas, kryetari i Forumit të Rinisë.

 

NENI 28
Zëvendës-Kryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, Sekretarët dhe anëtarët e Kryesisë zgjidhen në Këshillin Kombëtar ndërmjet një ose disa kandidaturave të propozuara nga Kryetari i Partisë.
Në rast se për çdonjërin nga postet e sipërcituara Kryetari i Partisë ka paraqitur vetëm një kandidaturë dhe ajo rrëzohet, të drejtën për propozimin e kandidaturës ose kandidaturave vijuese, e ka Këshilli Kombëtar.
Për të gjitha pozicionet e mësipërme votohet me votim të fshehtë.

 

NENI  29
Kryetari i Partisë:
Përfaqëson Partinë “Lëvizja e Legalitetit” brenda dhe jashtë vendit dhe vepron në emër të saj.
Harmonizon dhe drejton veprimtarinë politiko-organizative të partisë.
Pezullon për shkelje të Statutit dhe vijës politike, çdo anëtar të Kryesisë. Për shkarkimin përfundimtar vendos Këshilli Kombëtar në konsultim me Senatin.
Personi i pezulluar ka të drejtën e ankimit në Senat brenda 10 ditëve të njoftimit me shkrim të pezullimit.

 

Kryetari i Partisë relaton në Kryesi dhe Këshillin Kombëtar për probleme të rëndësishme politike të Partisë.

 

Në mbledhjen e parë të Kryesisë të çdo viti, kryetari mban raportin e shpenzimeve financiare për vitin e kaluar.

 

NENI 30
Çdo anëtar i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka të drejtë të vendosë kandidaturën për kryetar partie. Kandidaturat deklarohen brenda strukturave të partisë ose në Kongres kur mbeshteten nga 25% e delegatëve.
Kandidaturat për kryetar partie që deklarohen brenda strukturave të partisë miratohen nga Kryesia në konsultim me Kryetarin dhe Sekretarin e Senatit.
Kryetari zgjidhet në Kongres me votim të fshehtë.
Në rast se për Kryetar Partie kandidojnë më shumë se një kandidat, fiton ai kandidat që merr 50% + 1, vota të vlefshme, në raundin e parë. Nëse kalohet në balotazh, fituesi shpallet me shumicën e votave të vlefshme.

 

NENI 31
Kryetari i Partisë, gjatë mandatit të vet ka të drejtë të bëjë ndryshime në Kryesi, duke i kërkuar Këshillit Kombëtar të miratojë emrat e rinjë të propozuar prej tij.

 

NENI 32
Zëvendës-Kryetarët e Partisë ndihmojnë kryetarin në zbatimin e vendimeve politike si dhe vendimeve të organeve qendrore.
Zëvendës-Kryetarët e Partisë zëvendësojnë kryetarin. Kur kryetari mungon, me autorizimin e tij, njëri Zëvendës-Kryetar merr kompetencat e kryetarit të Partisë.
Zëvendës-Kryetarët përfaqësojnë Partinë në takime të nivelit të tyre me autorizim të Kryetarit.

 

NENI 33
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë organizon dhe koordinon punën e Partisë nëpërmjet sekretarëve përkatës.
Sekretari i Përgjithshëm përfaqëson Partinë në nivelin e vet në të gjitha takimet.

 

NENI 34
Sekretarët kryejnë detyrën e tyre sipas sektorëve përkatëse.

 

 

 

Kapitulli Nr. IV

 

NENI 35
Në rrethet e Shqipërisë, por edhe jashtë vendit, ngrihen degët e Partisë "Lëvizja e Legalitetit". Organi më i lartë i Partisë në degë është konferenca e degës së Partisë. Ajo mblidhet një herë në katër vjet.   
Kur e kërkojnë rrethanat mund të mblidhet Konferenca e jashtëzakonshme e Partisë, me kërkesën e 2/3 të anëtarëve të Kryesisë të Degës.

 

NENI 36
Konferenca e Partisë së Degës dëgjon dhe shqyrton raportin e Kryesisë së saj, relacionet e ndryshme dhe:
Bën analizën e punës ndërmjet dy konferencave dhe përcakton detyrat për të ardhmen.
Konferenca e degës zgjedh kryetarin dhe Kryesinë e degës.
Kur përkon me zhvillimin e Kongresit, Konferenca zgjedh delegatët e degës për në Kongresin e Partisë.

 

NENI 37
Kryesia e degës në rreth, e zgjedhur nga Konferenca, drejton gjithë veprimtarinë e Partisë në rreth në periudhën ndërmjet dy konferencave.

 

Ajo organizon e drejton punët për thirrjen e përgatitjen e konferencës së Degës së Partisë, ndjek dhe shqyrton çeshtjet e ndryshrne të punës së Partisë në të gjitha fushat;
Orienton veprimtarinë e grupeve të këshilltarëve të PLL në komuna, bashki e qarqe.
Përfaqëson Partinë në marrëdhënie me partitë e forcat e tjera, organizmat shoqërore e institucionet e ndryshme në rreth.
Administron mjetet financiare e materiale të Partisë në rreth.
Kryesia e degës organizon dhe drejton fushatat zgjedhore në territorin e degës.

 

NENI 38
Kryesia e Degës i zhvillon mbledhjet jo më pak se një herë në dy muaj.
Kryesia e Degës ngre dhe organizon departamentet e Partisë në Degë, sipas nevojave të saj dhe në përputhje me to orienton dhe kontrollon veprimtarinë e tyre.
Kryesia e Degës i propozon Kryesisë të Partisë kandidatët për këshilltarë të bashkive dhe komunave.
Kryesia e Degës i propozon Kryesisë të Partisë kandidaturat për deputet, kryetar bashkie, minimbaskie dhe komune.

 

NENI 39
Kryesia e Degës zgjedh zëvendës-kryetarin ose zëvendës-kryetarët dhe i propozon Kryesisë të PLL jo më pak se dy kandidatura për emërimin e sekretarit.

 

NENI 36
Nëndega vepron sipas ndarjes administrative në komuna, bashki ose rajoni e minibashkie për qytetet e mëdha. Ajo përfshin të gjitha seksionet e ndodhura në territorin e saj.
Nëndega koordinon veprimtarinë e degës me seksionet e saj.

 

NENI 37
Nëndega krijohet kur ka jo më pak se tre seksione. Kryetarët dhe sekretarët e seksioneve zgjedhin kryetarin e Nëndegës.

 

NENI 38
Organizmat bazë të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" janë seksionet.
Në përputhje me kriterin territorial, seksionet e Partisë ngrihen në bazë lagjeje, fshati, qyteti etj..
Krijimi, shtrirja, bashkimi ose ndarja e seksioneve vendoset nga Kryesia e Degës përkatëse.
Seksioni organizon veprimtarinë politike në territorin e tij në përputhje me orientimet dhe qendrimet e partisë si dhe bën pranimin e anëtarëve të rinj të PLL.
Gjithashtu seksioni i bën propozime dhe sugjerime degës për çdo problem që gjykohet se është në interes të PLL.
Seksionet mbajnë lidhje me Kryesinë e degës dhe janë të varura organizativisht prej tij.

 

NENI 39
Seksioni i Partisë krijohet kur ka jo më pak se 5 anëtarë. Kur numri i anëtarëve të Partisë kalon mbi 30, me miratimin e Kryesisë të Degës, krijohen dy ose më shumë seksione.
Seksioni mblidhet jo më pak se një herë në muaj.

 

 

 

Kapitulli Nr.V

 

NENI 40
Kandidatët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” që zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, formojnë grupin parlamentar.

 

Grupi Parlamentar përfaqëson dhe mbron interesat e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Kuvend.

 

Në të njëjtën mënyrë veprojnë edhe këshilltarët e zgjedhur në pushtetin vendor.

 

NENI 41
Deputeti ose Grupi Parlamentar i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” është i detyruar të veprojë në përputhje me linjat politike të Partisë, si dhe të zbatojë vendimet e organeve drejtuese të saj.

 

Në rast se deputeti nuk vepron konform Statutit, programit  dhe vendimeve të organeve drejtuese të Partisë, me propozim të Kryesisë në konsultim me Senatin dhe me  vendim të Këshillit Kombëtar, atij i hiqet e drejta të përfaqësojë Partinë.

 

Kryetari i Partisë, nëse partia fiton zgjedhjet parlamentare, është automatikisht kryeministër. Në të gjitha rastet e tjera, kryetari i Partisë është kryetar i Grupit Parlamentar.

 

Kapitulli Nr.VI

 

NENI 42
Organizmat partnere të PLL janë:
Forumi i Veteranëve (Senati)
Forumi i Rinisë
Forumi i Gruas

 

Këto forume synojnë të përhapin idetë dhe programin e PLL në grupet shoqërore ku ato veprojnë.

 

Ato janë të strukturuara përafërsisht si PLL dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar.

 

 

 

Kapitulli Nr.VII

 

NENI 43
Çdo anëtar i PLL ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij në Partinë “Lëvizja e Legalitetit”.
Në PLL respektohet diversiteti i mendimit.

 

NENI 44
Vendimet në organet vendimmarrëse merren me shumicë absolute (50% +1) të votave të vlefshme të pjesëmarrësve që kanë të drejtë vote. Votim i vlefshëm quhet një votim kur marrin pjesë të pakten 50% e anëtarëve të organit ku zhvillohet votimi.

 

NENI 45
Votimi bëhet, sipas rastit, i fshehtë ose i hapur duke ngritur dorën.  Për mënyrën e votimit, vendos me konsensus organi ku zhvillohet votimi.

 

NENI 46
Anëtarëve të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” mund t’u jepen: Vërejtje; Pezullim; Përjashtim.

 

Vërejtja jepet me shkrim për gabime të lehta.
Pezullimi jepet për shkelje të statutit ose programit.
Përjashtimi jepet për shkelje të rënda politike, apo morale që dëmtojnë rëndë imazhin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.
Organi kompetet për masat disiplinore është Senati.

 

 

 

Kapitulli Nr.VIII

 

NENI 47
Komisioni i Kontrollit dhe i Respektimit të Statutit përbëhet nga Kryesia e Forumit të Veteranëve, Senatit.

 

NENI 48
Çdo gjë që nuk është e parashikuar në këtë Statut, mbetet në kompetencë të Kryesisë të PLL-së në konsultim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Partisë.

 

NENI 49
Të ardhurat e Partisë dhe financat sigurohen nga:
Kuotat e anëtarëve të Partisë "Lëvizja e Legalitetit".
Të ardhura nga persona fizikë e juridikë.
Të ardhura nga degët jashtë atdheut.
Të ardhura nga shtypi i Partisë.
Donacione të ndryshme brenda kuadrit ligjor.
Të ardhurat e parashikuara nga ligji.

 

NENI 50
Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka numrin e vet të llogarisë në Bankë.

 

NENI 51
Statuti mund të ndryshohet vetëm nga Kuvendi i Partisë "Lëvizja Legalitetit".

 

NENI 52
Ky Statut hyn në fuqi menjëherë.

 

NENI 53
Në momentin që ky Statut hyn në fuqi, abrogohet Statuti paraardhës.