slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

Programi

Programi i Partisë "Lëvizja e Legalitetit"

Partia "Lëvizja e Legalitetit" është një parti kombëtare me qendër në Tiranë. Ajo është besnike e kujtimit dhe e frymës së burrave të Rilindjes dhe të Pavarësisë tonë Kombëtare të  etur për lirinë e pavarësinë e tokës Arbërore, besnike e virtyteve të fisit, trashëguese e traditave të besës, të nderit dhe të burrërisë, e mbështetur në fuqinë e shenjtë të familjes, në moralin dhe në zakonet më të shëndosha të vendit me bazë ideje dhe veprimi " Atdheu mbi të gjitha".

PLL është parti e njerëzve të lirë që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit.

 

Ajo është vazhduesja e ligjshme dhe e drejtpërdrejtë e Organizatës Kombëtare "Lëvizja e Legalitetit" e krijuar në zjarrin e Luftës kundër nazi-fashistëve në nëntor të vitit 1943 si pasuese e idealeve të Triumfit të Legalitetit më 24 dhjetor 1924.

 

Me dëbimin e pushtuesve nazi-fashistë dhe me uzurpimin me dhunë të pushtetit nga komunistët kjo Parti mbijetoi dhe zhvilloi në Botën e Lirë aktivitetet si formacion i organizuar politik për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura sllavo-komuniste, për pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera të robëruara, për rivendosjen e Monarkisë në Shqipëri dhe në favor të çështjes kombëtare në përgjithësi .

 

E ndërgjegjshme për detyrimet që ka ndaj popullit dhe kombit shqiptar, PLL siguron se si programi, ashtu dhe veprimtaria e saj, përjashtojnë përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve politike të vendit.

 

Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka luftuar të tre diktaturat shkatërrimtare  dhe më të egra të këtij shekulli për popullin shqiptar: fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe komunizmin sllavo-ndërkombëtar.

 

Ajo e konsideron 7 prillin 1939 si fillimin e tragjedisë kombëtare dhe i të gjitha fatkeqësive të mëpastajme për popullin shqiptar, pasoja nga të cilat  ende nuk jemi ndarë. Partia "Lëvizja e Legalitetit" asnjëherë nuk ka pranuar dhe vazhdimisht ka luftuar statusin politik, antikombëtar dhe antikushtetues, të krijuar në Shqipëri jo vetëm pas prillit 1939, por edhe pas 24 majit 1944.

 

Ajo është e mendimit se me vendosjen e përsosjen e plotë të demokracisë, populli është përcaktuesi më i mirë për vendosjen e formës së regjimit, Monarki Kushtetuese apo Republike.

 

PLL bazohet në kapacitetet njerëzore dhe intelektuale më të spikatura të vendit tonë për të ofruar një qeverisje në dobi të interesave të vendit, kombit dhe popullit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjve politik.

 

PLL synon është të zhvillojë ndjenjën e ndërgjegjes kombëtare, qytetarisë, traditës, vëllazërimit, punës, përkushtimit dhe krenarisë së të qënurit Shqiptar dhe ka një program që siguron zhvillim, mirëqenie për të gjithë, shance të barabarta, integrim evropian, stimulim të biznesit vendas, riparim të padrejtësive, rritje të rolit të faktorit shqiptar në rajon, bashkejetesë fetare dhe pavarësi të institucioneve të saj, etj.

 

Para së gjithash, PLL mendon se duhet rikthyer besimi i popullit në Zot, në vetvete dhe në qeverisje, duke luftuar fenomenet si korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, padrejtësitë, degjenerimin dhe amoralitetin.

 

Koncepti i PLL është të përballë të gjitha problemet e shoqërisë dhe t’u japë një zgjidhje të drejtë, përfundimtare dhe afatgjate pa marr parasysh interesat e momentit, por duke u bazuar vetëm në parimet e drejtësisë dhe ligjshmërisë, në interesin e vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

 

I - PARIMET DEMOKRATIKE, POLITIKE DHE SHTETI I SE DREJTES

 

PLL konsideron se të drejtat dhe liritë e njeriut janë një fitore që në asnjë kohë dhe asnjë vend dhe për askënd nuk mund të vihen në rrezik.  Pavarësisht angazhimeve ndërkombëtare të shtetit shqiptar në organizata të ndryshme ndërkombëtare (konventa) si dhe ligjeve në fuqi në vend, PLL konsideron se rritja e niveleve të të drejtave dhe lirive të njeriut nuk mund të vendoset vetëm në bazë të detyrimeve ndërkombëtare apo të brendshme ose në bazë të strukturave të ndryshme, por kryesisht sepse populli shqiptar, si një popull i qytetëruar dhe i vjetër në Evropë, i meriton këto të drejta dhe sepse ky është një detyrim i shtetit ndaj shtetasve të vet.

 

PLL lufton për bashkimin kombëtar dhe integrimin euro-Atlantik.

 

PLL aspiron që në Shqipëri të vendoset një shtet i së drejtës, modern bazuar në kushtet e vendit dhe përvojën ndërkombëtare.

 

Për PLL disa parime bazë kanë një rendësi të veçantë :

 

Demokracia
PLL synon që të sanksionohet me kushtetutë që pushteti legjislativ të jetë tërësisht i ndarë nga ai ekzekutiv.
PLL mendon se duhet të sanksionohet papajtueshmëria dhe konflikti i interesit ndërmjet funksionit të deputetit dhe ministrit.
PLL synon të rrisë pavarësinë e sistemit gjyqësor duke i dhënë atij të gjitha mundësitë ligjore për ushtrimin e kompetencave të veta dhe duke e mbrojtur nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera.

 

Sistemi politik
Konsekuente me parimet e legjitimitetit e të demokracisë dhe në përputhje me të drejtën historike, politike e juridike, Partia "Lëvizja e Legalitetit" aspiron dhe lufton që me rrugë dhe me mjete demokratike të rikthejë Monarkinë Kushtetuese me Dinastinë Zogu në Fron.

 

Dekomunistizimi
PLL gjykon se Shqipëria ka nevojë që të mbyllë një herë e përgjithmonë faqen e historisë së errët komuniste.   Në këtë drejtim, PLL mendon se sistemi komunist dhe periudha e diktaturës komuniste në vendin tonë duhen dënuar zyrtarisht.
Po ashtu, PLL mendon se duhet krijuar kushtet për rishkrimin e historisë dhe ndryshimin e teksteve shkollore, për ti ndërgjegjësuar brezat e rinj dhe të ardhshëm për dëmet e mëdha që periudha komuniste dhe sistemi i tij i sollën vendit tonë.

 

Rehabilitimi i viktimave të komunizmit
Prioritet i PLL mbetet dëmshpërblimi i drejtë dhe i shpejtë si edhe rehabilitimi dhe integrimi i plotë i ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politik.

 

E Drejta e Pronës
PLL mbron paprekshmërinë  e pronës private dhe mendon se është detyrim i shtetit të njohë dhe riparojë gabimet e veta dhe situatat e krijuara në dëm të pronarëve të ligjshëm për shkak të veprimit a mosveprimit të tij.
PLL synon që të kompensohen me vlerën e tregut të gjithë pronarët legjitim, të cilët nuk kanë mundësi të rifitojnë pronat e tyre.

 

Liria e fjalës dhe e shtypit
PLL konsideron se e drejta e fjalës dhe e shtypit janë të patjetërsueshëm dhe të pakufizueshëm përveçse në rastet kur cenohen të drejtat dhe liritë e një palës së tretë.
PLL mendon se duhen stimuluar mediet që të jenë më pak të politizuara.

 

E drejta dhe liria e besimit
PLL konsideron se e drejta dhe liria e besimit janë jetike për një shoqëri të shëndetshme dhe pa vese. PLL angazhohet të mbrojë dhe mbështesë vetëm besimin monoteist dhe fetë tradicionale të kombit shqiptar.

 

PLL  do të nxisë tolerancën fetare dhe pavarësinë e institucioneve të saj. PLL do të këmbëngulë që laicizmi i shtetit të mos keqpërdoret prej ateistëve në dëm të besimtarëve dhe identitetit të tyre.

 

Diaspora
PLL e konsideron diasporën shqiptare, qoftë politike apo ekonomike, si pjesë integrale të kombit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare si dhe synon integrimin e plotë politik dhe ekonomik të saj në vendin amë.

 

Mbrojtja dhe liria e pakicave kombëtare
PLL i konsideron pakicat kombëtare si pjesë integrale të shoqërisë shqiptare dhe, si të tilla, ata gëzojnë të drejta dhe detyrime të barabarta ndaj ligjeve dhe institucioneve të vendit.

 

Simbolet e shtetit
Përveç simboleve si flamuri e himni kombëtar, PLL mendon se edhe personalitetet dhe figurat patriotike dhe kombëtare që kanë ndërruar jetë dhe janë varrosur jashtë vendit duhet të nderohen dhe vlerësohen në vendin amë, për kontributet e tyre në dobi të kombit dhe atdheut.

 

Administrata shtetërore
PLL mendon se duhet profesionalizuar në mënyrë permanente administrata shtetërore dhe se institucionet e shtetit dhe nëpunësit duhet të jenë të paprekshëm.

 

Korrupsioni
PLL beson se lufta ndaj korrupsionit duhet intensifikuar vazhdimisht dhe se është detyrë e shtetit të krijojë kushtet dhe rregullat që do të parandalojnë korrupsionin.

 

II - EKONOMIA

 

Koncepti ynë për ekonominë
Misioni ekonomik i PLL është që të rrisë standardet e jetesës, mirëqenien dhe lumturinë e popullit shqiptar duke favorizuar ekonominë e tregut.
PLL mendon se shteti duhet të hartojë një strategji zhvillimi të vazhdueshëm dhe rritjeje ekonomike, duke mobilizuar të gjitha potencialet e vendit tonë në të mirën e përgjithshme të popullit dhe kombit shqiptar pa neglizuar edhe ruajtjen e mjedisit.
PLL mendon se duhen stimuluar zhvillimi i disa sektorëve prioritarë duke u dhënë një përparësi në investime, kredi dhe subvencione :

 

Biznesi i vogël
PLL është e ndërgjegjshme se biznesi i vogël është një vektor kryesor për zhvillimin e vendit dhe uljen e nivelit të papunësisë.  Si rrjedhojë, PLL synon që shteti shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për zhvillimin e këtij sektori.
Po ashtu, Informaliteti duhet luftuar, duke krijuar kushte të favorshme për stimulimin e formalitetit.

 

Ndërtimi
Si një sektor i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe uljen e papunësisë, PLL beson se ulja e çmimeve të shitjes së apartamenteve dhe shtëpive të reja do të ridinamizojë këtë sektor.

 

Bujqësia dhe blegtoria
PLL synon që të rrisë nivelet e prodhimit në sektorin bujqësor, të sigurojë stabilitetin e të ardhurave të prodhuesve dhe të ulë importin e produkteve të kësaj natyre.

 

PLL mendon se duhet garantuar gjithashtu se një fushatë e madhe mbjelljeje do të realizohet për të siguruar që dëmet e bëra në pyjet nga prerjet gjatë dekadave të fundit, të kompensohen me pemë të reja, me qëllim që të luftohet kështu edhe ndotja e ambientit.

 

Turizmi
Duke marrë parasysh potencialet e mëdha të vendit tonë në fushën e turizmit me një bregdet të veçantë në rajon, me male e pyje të shumta, me qendra historike dhe arkeologjike unike në Evropë, PLL ka bindjen se Shqipëria mund të përfitojë shumë shpejt nga këta pasuri me tërheqjen e turistëve të huaj nëse shteti zhvillon politika adekuate për këtë sektor.

 

Energjia
Për PLL, sektori i energjetikes mbetet një sektor strategjik, ku duhet mbrojtur interesi kombëtar, duke siguruar nivele pavarësie të lartë.
PLL është po ashtu e vetëdijshme se zhvillimi i  vendit nuk mund të realizohet në kushtet kur nuk mund të garantohet furnizimi me energji elektrike dhe ujë, për të gjithë qytetarët, dhe 24 orë në ditë.

 

Minierat
PLL është e vendosur që të krijojë kushtet për zhvillimin pasurive minerare, me qëllim që të rrisë eksportet, dhe të përdorë të gjitha mundësitë që i ofrohen vendit, për uljen e papunësisë dhe rritjen e standardeve të jetesës.

 

III - POLITIKA SOCIALE

 

Për PLL, duhet të rritet niveli i solidaritetit ndërmjet qytetarëve dhe i zhvillimit social, dhe është detyrë e shtetit që të shërbejë si katalizator i këtij solidariteti dhe zhvillimi social.

 

Duke pasur në qendër të saj njeriun e lirë, dinjitetin e tij në një shoqëri ku sundon ligji dhe drejtësia shoqërore, PLL njëherazi do të luftojë që të ruhen, mbrohen dhe zhvillohen më tej traditat dhe virtytet më të mira të popullit shqiptar.

 

E drejta për punë është një e drejtë themelore e njeriut. PLL kërkon që shteti të përgjigjet me ligj për realizimin e kësaj të drejte. Ai, të sistemojë, të bashkërendojë e të përcaktojë lëvizjen e fuqisë punëtore brenda vendit, t’u japë zgjidhje optimale problemeve të zënies me punë të forcave të afta, të kujdeset për kufizimin maksimal të fenomenit të papunësisë duke përfshirë rikualifikimin e të papunëve dhe emigracionin ekonomik të organizuar, si dhe të sigurojë një asistencë sociale për të papunët dhe për familjet e tyre.

 

PLL do të luftojë që ish të burgosurit e të përndjekurit politikë, luftëtarë të demokracisë, të rikthehen në jetën qytetare duke ndihmuar me përparësi si për punësimin, strehimin dhe shpërblimin material për të gjithë kohën e dënimeve që kanë vuajtur.

 

PLL kërkon që të vihet në zbatim legjislacioni i nevojshëm për mbrojtjen e ambientit dhe ruajtjen e ekuilibrave natyrore dhe të ushtrohet kontrolli i vazhdueshëm nga shteti në kushtet e iniciativës private.

 

PLL i kushton një rendësi të veçantë këtyre sektorëve :
Arsimi
Për PLL, arsimi përben një shtyllë kryesore për një shoqërie të zhvilluar, ku niveli i arsimimit të shoqërisë duhet të gëzojë ritme zhvillimi të shpejta dhe cilësore.

 

PLL kërkon që shoqëria jonë të krijojë kushte sa më të përshtatshme materiale dhe shpirtërore të veprimtarisë së inteligjencës, inkurajimin dhe shpërblimin e drejtë të punës së kualif1kuar intelektuale, për zhvillimin e lirë dhe të gjithanshëm të mendimit krijues, specializimin e lartë të inteligjencës brenda e jashtë vendit, lidhje, kontakte e shkëmbime të gjera të inteligjencës sonë me shkencën e kulturën botërore.

 

PLL mbështet aspiratat dhe kërkesat e drejta të rinisë për punë, arsim e kualifikim të përshtatshëm. Ajo do të përkujdeset që brezit të ri t’i kthehet besimi në të ardhmen e vet dhe të atdheut, që prej tij të largohet rreziku i plagëve të tilla shoqërore si papunësia, droga, alkoolizmi, rrugaçëria,  etj., duke i krijuar asaj kushte për zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit, të prirjeve e të talentit, si dhe për pjesëmarrjen aktive të tyre në jetën shoqërore, politike, ekonomike e kulturore të vendit.

 

Shëndetësia
Për PLL, sistemi shëndetësor ka nevojë për një reformim thelbësor ku shteti duhet të garantojë që të gjithë shtetasit shqiptarë të përfitojnë një shërbim shëndetësor falas ose me kosto minimale.
PLL do të përpiqet për ristrukturimin dhe përmirësimin rrënjësor të shërbimit mjekësor. Ai do të jetë shtetëror dhe privat, falas dhe me pagesë, sipas zgjedhjes së të sëmurëve që duhet të jenë të siguruar nga sigurimet shoqërore.

 

Sigurimet shoqërore
PLL është e vendosur të mbrojë të gjithë punëtorët, dukë garantuar që pronarët e firmave të shlyejnë të gjitha detyrimet shoqërore.
PLL mendon se duhet luftuar puna në të zezë në mënyre të rreptë, duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme dhe të pandërprera në të gjitha sektorët.

 

PLL do ti kushtojë një rëndësi të veçantë brezit të tretë, jetimëve, invalidëve dhe të mohuarve, si dhe nuk do të lejojë asnjë praktikë diskriminuese ndaj këtyre shtresave, duke nxitur miratimin dhe zbatimin e ligjeve përkatëse, për mbrojtjen e tyre.

 

Familja
Për PLL, familja është qeliza bazë e shoqërisë, dhe si e tillë, ajo duhet të mbrohet dhe të inkurajohet për të ruajtur dhe mishëruar vlerat patriotike dhe kombëtare.

 

PLL do të përpiqet për një legjislacion që të mbrojë familjen dhe të sigurojë mirëqenien morale, shëndetësore e materiale të nënës, të fëmijës, të pleqve, të të papunëve dhe të invalidëve.

 

PLL do të synojë që shteti të përkrahë me efikasitet fëmijët jetimë, të braktisur dhe të keqtrajtuar duke u siguruar atyre rritjen dhe edukimin në institutet shtetërore ose brenda familjeve.

 

PLL mendon se nuk duhet lejuar që ligji shqiptar të njohë homoseksualitetin dhe abortin.

 

IV - POLITIKA E JASHTME

 

PLL është e vendosur të krijojë të gjitha kushtet për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe se shteti duhet të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për plotësimin e standardeve evropiane.  Si hap të parë në këtë drejtim, PLL mendon se një integrim dhe bashkim kombëtar është i nevojshëm me Kosovën.

 

PLL synon që Shqipëria të zhvillojë një politikë të jashtme që bazohet vetëm në interesin kombëtar, si dhe të bëhet një faktor i rëndësishëm në rajon. Shteti shqiptarë duhet të njohë dhe të ushtrojë të gjitha detyrimet dhe të drejtat që ka shteti amë.

 

PLL kërkon që të krijojë të gjitha kushtet ligjore për parandalimin e aktiviteteve antikushtetuese në Shqipëri nga qarqet shoviniste të huaja.
PLL beson se ndërtimi i marrëdhënieve me Organizatën e Konferencës Islamike, do t’i mundësojë vendit tonë të gëzojë një ndikim më të gjërë në rajon e më tej, si dhe do t’i japë mundësi më të mëdha Shqipërisë të luaje një rol edhe global, sidomos duke shërbyer si mediator dhe moderator funksional.

 

V - TE JEMI KRENARE QE JEMI SHQIPTARE

 

Programi ynë, mentaliteti dhe vizioni ynë në qeveri, synojnë të rrisin shkallën e dinjitetit dhe krenarisë të të gjithë shqiptarëve, kudo që gjenden dhe të mbrojë interesat e gjithë popullit, dhe jo vetëm të një shtrese të caktuar.

 

PLL është e ndërgjegjshme se shoqëria shqiptare vuan nga humbja e krenarisë kombëtare.
Krenaria jonë duhet të bazohet në identitetin tonë, si dhe të përqendrohet në vlerat autentike, si gjuha, kultura, tradita dhe historia jonë.

 

PLL do të mbetet e palëkundur në ngritjen lart të vlerave tona të pavarësisë, në të gjitha fushat.
PLL beson se Shqiptarët duhet të binden dhe duhet të fitojnë mbi vetveten, gjithashtu duhet të mposhtin komplekset e inferioritetit ndaj të huajve, si dhe të heqin dorë nga paragjykimi se lumturia dhe shpëtimi i tyre varet nga të huajt.

 

Aspekti kryesor në këtë program është se nuk bazohet në retorikë por të gjitha pikat mund të kthehen në realitet nëse ekziston vullneti i përbashkët.

 

PLL ka një ideal dhe ideal ynë është Atdheu dhe Kombi.

Lusim Zotin e Madh që ta ndihmojë Kombin dhe vendin tonë.