slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

FJALIM MBAJTUR NË KUVENDIT E XVIII TË PLL

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Skënder Zogu,

Të dashur Delegatë,

Zonja dhe Zotnij,

Gjatë javëve të fundit, kam pasë kënaqësinë të marr pjesë në shumë konferenca të degëve tona nëpër rrethe ku kam nda me shumicën prej jush pikëpamjet e mia dhe platformën që kam nderin t’ju paraqes sot për miratim për të ardhmen e partisë tonë.

Vendimi për të kandiduar për kryetar partie nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë.

Sigurisht kam ndjekë këshillat e shumë miqve besnikë me të cilët më bashkon një histori e gjatë në Legalitet dhe që besojnë në mua.

Sigurisht njohja e thellë e partisë tonë, të idealeve, vlerave, programit dhe funksionimit të saj, me kanë ndihmuar për të marrë këtë vendim.

Sigurisht, analiza e situatës aktuale, të gjendjes sonë, të sfidave që na presin kur ekzistenca jonë është në rrezik, më kanë shty që të mos pranoj fatalitetin as të dorëzohem para asnjë vështirësie.

Por s’ka dyshim se ky vendim rrjedh sidomos nga angazhimi historik i familjes time përkrah Familjes Mbretnore Shqiptare dhe në radhët e PLL, si një parti e njerëzve të lirë që duan t’i shërbejnë popullit, kombit dhe atdheut, pa pritë asgjë në këmbim.

 

Zonja dhe Zotni Delegatë,

Siç e dini, unë kam lind në Bruksel, në vitin 1970, nga prindër të arratisur pas Luftës së Dytë Botërore.  Gjyshi im nga nëna u pushkatua bashkë me të gjithë burrat e fisit të vet në shtator të vitit 1944, nga bandat kriminale komuniste; ndërsa gjyshi im nga baba, u arratis në vitin 1956 pas shumë peripecish, vuajtjesh dhe dënimesh që kishim pësuar në familje nga diktatura komuniste.

Pas mbarimit të studimeve të mija universitare në vitin 1993 në Bruksel ku temën e mbarimit të studimeve ia kushtova “Marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1920-1992” vazhdova studime pas-universitare dhe u diplomova për të dytën herë në vitin 1994 me një MBA.  Pastaj, pata fatin të zhvilloj një karrierë profesionale aktive duke zënë disa funksione drejtuese.  Kam qenë për gati 15 vjet Drejtor i Shtypit të huaj në Belgjikë dhe në të njëjtën kohë edhe Drejtor i Përgjithshëm i filialit të një grupi të madh francez si dhe anëtar i Bordit Drejtues të një organizate ndërkombëtare me seli në Zurich dhe e afiliuar pranë Unesko-s.

Në vitin 2008, vendosa të jap dorëheqje nga të gjitha funksionet e mia profesionale për t’u angazhuar më intensivisht në shërbim të PLL dhe erdha në Shqipni.

Por ky moment nuk ishte fillimi i angazhimit tim në dobi të kauzës tonë.

Që në vitin 1993, isha i zgjedhur kryetar i degës të PLL në Belgjikë dhe në atë cilësi kishim organizuar disa aktivitete në mërgim për të rritur prestigjin dhe përkrah partinë tonë në Tiranë.

Kam marrë pjesë aktive në pothuajse të gjitha fushatat elektorale në Shqipni, në referendumin e vitit 1997 si dhe në shumicën e mbledhjeve të strukturave drejtuese të partisë dhe në kongreset tona.

Që prej vitit 1998, jam anëtar i kryesisë të PLL, respektivisht në funksionet e Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë, Sekretarit Politik dhe Zv.Kryetarit deri më sot.

Për ata që nuk e kanë ndjekë rrugëtimin tim të deritanishëm në shërbim të partisë tonë, mund t’ju them se kam qenë i pari që kam denoncuar në institucionet ndërkombëtare dhe në Këshillin e Europës manipulimin e referendumit të vitit 1997.

Kam sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për ngjarjet e vitit 1998 në Shqipni duke bërë të mundshme që të ngrihet në Parlamentin francez çështja e burgosjes të padrejtë e z. Ekrem Spahiu.

Kam organizuar para selisë të BE në Bruksel demonstratat “Nano IK” duke mediatizuar protestat që zhvilloheshin në Tiranë në atë kohë dhe që nuk kishin gjetur jehonën e duhur jashtë vendit, deri në ato çaste.

Kam qenë, po ashtu, nën-kryetar i Grupit të Emergjencës për Kosovën në vitet 1998-1999, ku kemi grumbulluar sasi të konsiderueshme fondesh në përkrahje të luftës për lirinë e Kosovës, dhe ku kam shkruar disa artikuj në shtypin perëndimor në favor të pavarësisë të Kosovës duke qenë në të njëjtën kohë bashkorganizator i disa protestave para selisë të BE dhe NATO-s për sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare për gjendjen në Kosovë dhe masakrat e shkaktuara nga serbët ndaj shqiptarëve.

Gjatë gjithë kohës, jam përpjekë me sukses të loboj gjithkund në favor të Familjes Mbretnore, të PLL dhe të çështjes tonë kombëtare.

Përveç këtyre aktiviteteve, bashkë me miqtë e mi Skënder Zogu dhe Yllë Spahiu kemi organizuar disa aksione me ndihma humanitare për Shqipërinë por edhe për PLL ku prej vitit 1998 kam kanalizuar mijëra e mijëra dollarë dhe euro në drejtim të qendrës në Tiranë.

Sigurisht, angazhimi im nuk ka munguar në aspektet shoqërore dhe kulturore duke organizuar koncerte, ekspozita e konferenca si dhe përkrahje financiare në raste të veçanta dhe emergjente siç ishin ndihmat financiare për viktimat e Gërdecit, përmbytjet në Shkodër, jetimët në Kukës, etj…

Vitin e kaluar kam organizuar disa aktivitete.

Besoj se ju kujtohet atyre që ishin prezent, organizimi i pelegrinazhit të fundit te varri i Mbretit Zog në Paris, në prill të vitit 2012, para riatdhesimit të eshtrave të tij nga shteti shqiptar.

Kam organizuar disa konferenca shkencore vitin e kaluar për të shënuar 100-Vjetorin e Pavarësisë tonë dhe sensibilizuar opinionin europian në vuajtjet që ka pësuar populli jonë nga komunizmi dhe shovinizmi serb e grek.

Do të mund të vazhdoja akoma më gjatë duke radhitur me dhjetëra raste që tregojnë angazhimin tim për popullin, vendin, partinë time dhe Familjen Mbretnore.

Por do të ndalem  këtu me kaq, pasi qëllimi im ishte vetëm të paraqitem shkurtimisht para atyre që nuk më njohin dhe t’ju them se angazhimi në një parti politike, aq më tepër në PLL, nuk bëhet për arsye ose përfitime personale, por vetëm kur e ndien detyrën e shërbimit ndaj vendit, popullit dhe kombit tënd.

Unë në këtë formë e ndjej çdo ditë dhe kjo është sigurisht arsyeja kryesore për të cilën kam vendosë të kandidoj sot për postin e kryetarit të partisë. Jo për të mbajtur një karrige me dhunë, me zor, me manipulime, me mashtrime, por për t’i shërbyer një kauze, për t’u shërbyer legalistëve, për t’i shërbyer një ideali.

Natyrisht, edukata ime familjare konservatore, trashëgimi i vlerave më të mira qytetare dhe fisnike, përvoja ime perëndimore, përgatitja ime akademike, zotërimi i disa gjuhëve të huaja si frëngjishtja, anglishtja, holandishtja, gjermanishtja, spanjishtja, më shtyjnë që të ndihem krenar që jam i gatshëm që të vë të gjitha energjitë e mia në shërbim të Partisë time, të Familjes Mbretnore, të legalistëve, të popullit dhe të kombit tim.

Sot, përveç faktit që kandidoj para jush për kryetar partie jam edhe pedagog në një universitet privat në Bruksel dhe besoj se gjithçka i ofroj Partisë time nuk e bëj si sakrificë por e bëj si detyrë ndaj atyre që na kanë frymëzuar me idealet zogiste dhe legaliste.

 

Zonja dhe Zotni Delegatë,

Gjendja e PLL dihet nga gjithsecili, jo vetëm në radhët e partisë tonë por në mbarë opinionin publik.

Nuk kam asgjë personale ndaj askujt dhe sigurisht jo me z.Ekrem Spahiu, të cilin vazhdoj ta konsideroj si një mik, pavarësisht divergjencave në mendime, në veprime, që mund të kemi pasë dhe kemi. Por e vërteta duhet thënë...

Nga një parti që bazohej në vlera dhe parime të shëndosha, konsiderohemi sot si një parti lypsarësh, interesaxhinjsh, klienteliste, ku në fakt askush nuk përfiton asgjë.

Nga një parti elitash, intelektualësh dhe nacionalistë patriotë, që kanë formuar shtetin shqiptar, konsiderohemi sot si një parti lemoshaxhinjsh, dhe e papërfillshme që askush nuk e respekton dhe vlerëson.

Nga një parti që përfaqësonte një alternativë dhe një shpresë për të ardhmen e popullit dhe të vendit, konsiderohemi sot si anakronike dhe larg realitetit bashkëkohor.

Unë gjykoj dhe vlerësoj se gjendja në të cilën ndodhemi sot dhe që pasqyrohet më së miri në rezultatet elektorale, nuk ka ndodh rastësisht, por rrjedh nga një proces që ka zgjatë tashmë tepër shumë.

Zgjedhjet e 23 qershorit ishin ndoshta akti i parafundit i këtij procesi, por shpresoj se sot ky Kuvend do të vendosë për një ndryshim të trendit negativ, që kemi pësuar prej vitesh.

Eshtë e vërtetë se gjatë 4-vjeçarit të fundit ka ndodhë riatdhesimi i eshtrave të Mbretit Zog dhe vlerësimi i figurës tij nga qeveria shqiptare.

Pavarësisht gëzimit tonë për këtë ngjarje, a mund të mburremi ne se e realizuam, kur gjithsecili e di shumë mirë se kush e bëri dhe pse e bëri!?...

Për hir të së vërtetës duhet të themi se riatdhesimi i eshtrave dhe ridimensionimi i figurës, rolit dhe kontributit të tij në shtetformim dhe qeverisjen e vendit tonë, është stimuluar për herë të parë para gati 20 vitesh nga z.Skënder Zogu dhe Yll Spahija nëpërmjet një letre personale dhe konfidenciale që i kanë dërguar në atë kohë kryetarit të shtetit shqiptar që ishte Sali Berisha. Por e kemi futur edhe në programin tonë elektoral, me propozimin tim që PLL ta ketë në program të saj riatdhesimin dhe sigurisht qeveria e mëparshme e realizoi ku u kombinuan interesat tona me ato të qeverisë. Por ata e bënë për qëllimet e tyre, e jo për ne, dhe s’kemi se pse të mburremi ne! Ne mund të mburremi se e kemi ruajtur gjithmonë atë dëshirë, atë vullnet, atë bindje për t’i rikthyer eshtrat e Mbretit Zog në Shqipëri.

Pavarësisht se shteti shqiptar organizoi një ceremoni shtetërore me rastin e vdekjes të Mbretit Leka, do të ishte qesharake nëse i marrim ne atributet e tjetërkujt pavarësisht se të gjithë Legalistët u vunë në shërbim të përcjelljes dinjitoze të Mbretit për në banesën e fundit.

Pavarësisht se në zgjedhjet vendore të vitit 2011, PLL doli me një rezultat më të mirë, a mund të krahasohet ky rezultat me zgjedhjet e vitit 1996 kur Legaliteti, bashkë me Ballin Kombëtar, sfiduan PD dhe PS në Shkodër duke fituar Bashkinë e atij qyteti? A mund të krahasohet kjo? A mund të thuhet se është një rritje?!

Madje dihet se në kushtet e sistemit dhe modelit shqiptar, rezultatet proporcionale në zgjedhjet vendore nuk mund të shërbejnë si barometër për matjen e suksesit të një partie. Jo,  jo! Barometër për matjen e suksesit janë zgjedhjet qendrore... barometër për matjen e suksesit të një partie janë zgjedhjet qendrore, sepse aty duket qartë se nuk çalon gomari nga veshët…

Gjithkush ka të drejtë të pyes vetveten:

Pse jemi katandisur në këtë situatë ?

Pse na janë larguar njerëzit tanë ?

Pse na rrinë larg intelektualët dhe brezi i ri, përveç rasteve të rralla ku miqësia ose klientelizmi sundojnë mbi parimin e ndarjes së vlerave dhe bindjeve ?

Pse nuk na afrohet elektorati shqiptar ?

Pse na rrinë larg dhe na shikojnë si një specie në zhdukje ?

Unë besoj se na rrinë larg dhe nuk na afrohet askush sepse PLL është larguar vetë nga bazat e saja programore dhe ideologjike duke lidh fatin e saj me atë të ndonjë politikani ose partie tjetër - për të shuar vetëm e vetëm orekse dhe ambicie individuale!

 

Zonja dhe Zotnij Delegatë,

Unë bashkohem plotësisht me ata të cilëve u dhimbset akoma PLL, që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale të partisë tonë dhe që besojnë se ka ardhë koha e një ndryshimi rrënjësor, siç na e kërkoi edhe Princi Leka në përshëndetjen e Tij.

Për të realizuar konkretisht dhe me sukses këtë ndryshim, besoj se PLL duhet të rikthehet në vlerat, profilin, identitetin dhe parimet për të cilat ka lindë kjo parti si dhe në idealet e themeluesve dhe ideologëve të PLL si Abaz Kupi, Nuçi Kotta, Fuad Myftija, etj…

Vetëm kur të kthehemi në bazat tona ideologjike dhe programore do të mund t’i afrojmë përsëri rreth nesh, ato familje legalistësh e zogistësh që na janë larguar, që e kanë kuptuar hilen, që e kanë kuptuar mashtrimin dhe nuk na vijnë më afër, nuk na besojnë, por ata janë legalistë dhe zogistë, por ne jemi larguar nga vlerat, nga parimet dhe qahemi pse nuk na afrohen ata!?... Ata e shohin shumë qartë dhe e kanë parë shumë qartë, e kanë kuptuar shumë qartë mashtrimin. Pra duke u rikthyer në bazat tona, në vlerat tona, në idealet tona, në ideologjinë tonë, në parimet tona do të na afrohen përsëri... se e shohim në këtë sallë, e kemi parë në të gjitha konferencat, se legalistët nuk kanë vdekur – ata nuk janë shuajtur as para komunistëve!... Por legalistët janë fisnikë. Ata largohen prej maskarenjve.

Vetëm kur të kthehemi në bazat tona, pra do të mund të pretendojmë ne që t’i hapim edhe dyert tona, do të mund të bëhemi atëherë një forcë atraksioni, do të mund të na besojë elektorati shqiptar, do të mund të na besojnë intelektualët, të rinjtë dhe të rejat. Në rast se ne s’u ofrojmë diçka, është e kotë të hapim dyert e shtëpisë, t’u themi njerëzve hajdeni brenda, në rast se shtëpia është bosh!? Nuk ia vlen dhe nuk do të na afrohet askush, në rast se nuk kemi diçka për t’ua paraqitë... Dhe ne kemi se çfarë t’u paraqesim, kemi idealet tona, bindjet tona, programin tonë që e trashëgojmë nga shtetformuesit e këtij vendi. E jo nga shkatërruesit e këtij vendi!

Sigurisht që PLL duhet të modernizohet, dhe të ofrojë një alternative bashkë-kohore, të bëhet një parti me një profil intelektual, qytetar dhe europian. Nuk jemi sot në kushtet e vitit 1992, as në kushtet e vitit 1997 – jemi në 2013-ën! Nuk mund të vazhdojmë ne të bëjmë propagandë për të mashtruar disa pleq për t’iu thënë se në kohën e Mbretit lëviznim nëpër botë me pasaportën e Mbretit – në kohën kur gjithkush lëviz në Europë, falë liberalizimit të vizave! Nuk mund të pretendojmë më sot që me monedhën e Mbretit mund të blinim gjithçka kudo nëpër botë në kohën kur sot as nuk vlen të marrësh lekë me vete, por thjesht një kartë krediti!

Pra në rast se ne nuk modernizohemi, në rast se ne nuk ofrojmë diçka bashkë-kohore askush nuk do të na besojë dhe do të vazhdojmë të katandisemi, do të vazhdojnë të rrjedhin votat tona, jo në 6 mijë ku kemi rënë, por synimi ndoshta është të zhduken fare votat e legalistëve dhe të përdoret targa e PLL për interesa kushedi-se-cilat janë!...

Unë besoj se PLL duhet të dijë të ofrojë zgjidhje serioze në të gjitha fushat që prekin jetën e shqiptarit, në aspektet politike, ekonomike, sociale, kulturore, artistike etj.. PLL duhet të dijë të ofrojë alternativa konkrete, reale, të kohës që të bëhet një forcë atraksioni, jo vetëm për legalistët, por për të gjithë popullin shqiptar, që të kthehet PLL në një magnet ku gjithsecili do ta njohë vetveten.

Për të realizuar këtë qëllim, unë besoj se PLL duhet të pavarësohet, duhet të fitojë liri, mos të ngelet bisht i askujt, mos të identifikohet PLL si një nëndegë e PD, por të respektohet si e barabartë! Por sigurisht vetë e kemi fajin, se ia kemi ofruar këtë mundësi PD-së që të na nëpërkëmbë duke u bërë zëdhënës të PD, në një kohë që ata kanë zëdhënës më të mirë se çdonjëri prej nesh. Sigurisht që edhe aleatët tanë nuk do të na respektojnë asnjëherë, do të na nëpërkëmbin, në rast se ne nuk ofrojmë asgjë, nuk ofrojmë një vlerë të shtuar në spektrin politik, por tjetërsohemi, zhburrërohemi për interesa personale.

Unë besoj se PLL duhet të bëhet një parti e gjallë dhe aktive në jetën politike. Nuk duhet të rrijë larg programit të saj, vlerave të saja, sepse vakuumi që krijohet në spektrin politik shqiptar mbushet nga të tjerët... të paqenët (harbutët)! Ndërkohë që PLL e ka në bazën e saj ideologjike dhe programore çështjen kombëtare, bashkimin kombëtar. Në rast se ne nuk i mbrojmë, - siç ishte rasti i marrëveshjes së ujërave me Greqinë, - asnjëherë nuk është ngritur zëri dhe të tjerët e kanë përvetësuar këtë çështje.

Sigurisht që pa u kthyer në këto baza, pa ofruar një alternativë serioze, pa u bërë një faktor, nuk do të na konsiderojnë, nuk do të bëhemi kurrë një vlerë e shtuar dhe do të vazhdojmë të zhdukemi. Dhe sigurisht që edhe ju do ta vuani, sepse edhe degët të cilat ne mund t’i kritikojmë se pse s’kanë marrë vota, nuk kanë se çfarë të bëjnë, kur s’kanë asnjë mesazh për të përçuar tek elektorati, nuk kanë asnjë vlerë për të mbrojtur tek elektorati, përveçse vlerën e Mbretit. Dhe ne po e zbehim edhe imazhin e Mbretit duke e shpërdoruar atë, sepse s’kemi asgjë tjetër të ofrojmë!... Dhe s’kanë faj strukturat tona, por strukturat tona do të stimulohen, do të ngrihen, në rast se ne u ofrojmë materialin për t’u ringritur. Dhe materiali nuk është vetëm financiar, por materiali është në vlera, në parime, në program, në mbrojtje të një alternative serioze.

Sigurisht që PLL nuk do të konsiderohet asnjëherë, as nga partnerët tanë të huaj, as nga kancelaritë e huaja në rast se ne nuk përfaqësojmë diçka serioze, konkrete. Nuk deshta t’ju tregoj, por sa për kuriozitet... po ju mbaj edhe një minutë.

Vitin e kaluar kur ishim në SHBA, siç e tha edhe z.Hoti, - ju faleminderit juve dhe degën e SHBA për pritjen që na keni rezervuar bashkë me Princin Leka – në Kongres na pritën disa senatorë dhe kongresmenë... ju betohem... ju betohem, mund ta pyesni Princin në rast se nuk më besoni: - të gjithë ata, pyetjen e parë që na bënin, - jeni partia që i luftoni homoseksualët!?

A kjo parti jemi ne?!...

Parti që identifikohet vetëm në luftën ndaj homoseksualëve... ju lutem! Dhe vazhdonin vërejtjet e tyre sigurisht edhe kritika, pra, në rast se ne nuk dimë të kthejmë vlerat, parimet, bazat, programin, alternativën, edhe të huajt nuk do të na konsiderojnë asnjëherë, nuk do të na përfillin! Por sigurisht besoj se duke marrë një drejtim të tillë, duke qenë gati të ndryshojmë, duke qenë gati të marrim mbi supet tona veten tonë, t’i ofrojmë diçka serioze elektoratit tonë tradicional, të hapim dyert tona, sigurisht duke i ofruar elektoratit dhe intelektualëve, të rinjve dhe të rejave, duke iu ofruar një alternativë ngjitëse për aspiratat e tyre bashkohore, besoj se atëherë do të bëhemi e do të kthehemi në një subjekt politik që ofron një alternativë. Atëherë do t’i kemi shërbyer vendit tonë, do t’i kemi shërbyer kauzës sonë, do t’u kemi shërbyer edhe idealeve tona, do t’i kemi shërbyer edhe Mbretit, Princit, që ne duam ta bëjmë Mbret! Do t’i kemi shërbyer, sepse zogizëm do të thotë të dish të formosh shtet.

Unë nuk e kisha parashikuar të përfundoj në këtë formë, por duke marrë parasysh se deri sot ishim 3 kandidatë..., dy prej të cilëve iu uroj sukses, Murat Bashës dhe Agim Krajës...

Dua të përfundoj vetëm duke thënë një fjalë, përderisa ju do të hyni në seancën e fundit të votimit, të mendoheni mirë, para se të hidhni votën. Në rast se ju nuk jeni të kënaqur me këtë situatë, në të cilën ka mbërri PLL, në rast se ju nuk jeni të kënaqur me çfarë ju ka ofruar deri sot PLL, atëherë ju dini se ku të votoni!

Unë ju ftoj juve, delegatët legalistë, që t’ia vënë gishtin kokës, të mendojnë mirë para se të votojnë, që PLL të pësojë një ndryshim rrënjësor, që politika e PLL të bëhet me tru e jo me hu!

Faleminderës,

Sulejman Gjana