slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

PLL përgatitet për Kuvendin e saj të 18-të

Në përputhje me Statutin e PLL që parashikon se “...Kuvendi mblidhet çdo katër vjet në vendin dhe ditën e caktuar prej Kryesisë” (neni 19), Kryesia e PLL ka vendosur që Kuvendi i radhës të mblidhet në Tiranë më 24 Nëntor 2013.

Gjatë javëve të fundit Kryesia e PLL është mbledhur disa herë dhe ka diskutuar në mënyrë intensive sipas një rendi dite që përfshinte:

1.Analizë e rezultatit të PLL në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.

2.Përgatitjet për Kuvendin e XVIII të radhës së PLL

Kryesia e PLL e ka vlerësuar rezultatin e Partisë në zgjedhjet e 23 Qershorit si mjaft të dobët e që nuk reflekton kapacitetet programore të PLL si edhe resurset e saj njerëzore dhe organizative. Në analizën e Kryesisë u renditen shkaqet e këtij rezultati ku përveç arsyeve objektive u evidentua edhe mos angazhimi i strukturave drejtuese të PLL nga qendra në bazë për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Z. Spahiu mori mbi vete përgjegjësinë kryesore si kryetar i Partisë. Analiza e mëtejshme e rezultatit të PLL në zgjedhjet e 23 Qershorit do të bëhet në Konferencat e Degëve dhe sigurisht edhe në Kuvendin e 18-të të PLL.

Pavarësisht rezultatit të dobët që PLL arriti në zgjedhjet e 23 Qershorit, Kryesia e PLL e shikon me optimizëm të ardhmen e Partisë. Në funksion të kësaj, Kryesia e PLL ka arritur në përfundimin se një riorganizim dhe rifreskim i strukturave të saj nga qendra në bazë është i domosdoshëm.

Kryesia e PLL e vlerëson riorganizimin e Partisë si çështjen më serioze dhe e shikon atë si një proces të shtrirë në kohë, të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku do të ftohen të kontribuojnë duke qenë pjesëmarrës si anëtarësia aktuale, ashtu edhe të anëtarësuarit e rinj në PLL.

Në përputhje me Statutin e PLL, Kryesia e Partisë ka miratuar Procedurat e zhvillimit të Kuvendit të 18-të të PLL, të cilat i japin udhë analizës në Degët e saj në rrethe, organizimit të konferencave, zgjedhjes së delegatëve për në Kuvendin e 18-të si dhe deklarimit të kandidatëve për Kryetar të Partisë.