slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

 

 

 

Tiranë, më 18 Shtator 2015
 
Informacion për Media
 
Duke marrë parasysh se z. Ekrem Spahiu ka ndërmarrë një lëvizje destabilizuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” që u pasqyrua me një konferencë për shtyp më datë 5 shtator 2015, organet drejtuese të PLL kanë analizuar situatën e krijuar dhe kanë konkluduar se këto veprime janë jo-statutore, aventureske, dashakeqëse dhe me synim çorientimin e legalistëve dhe opinionit publik.
 
Në këto kushte, Senati i PLL, si organi suprem që garanton zbatimin e vijës politike dhe idealit zogist, por edhe si organi kompetent që sipas Statutit të PLL gëzon në mënyrë ekskluzive të drejtën e dhënies së masave disiplinore për anëtarët e PLL, më datë 17 Shtator 2015 zhvilloi një mbledhje të posaçme ku pasi analizoi me hollësi situatën e krijuar, doli me konkluzionet e veta dhe mori vendimet përkatëse.
 
Në mënyrë unanime, Senati i PLL e konsideroi këtë lëvizje si një veprim jo-statutor. Sipas Senatit të PLL, kjo shkelje statutore e ka shumëfishuar rëndësinë e saj sepse protagonistët janë shfaqur edhe mediatikisht duke pasur si qëllim që të dëmtojnë imazhin e PLL dhe të krijojnë idenë e përçarjes brenda saj.
 
Në të njëjtën kohë dhe po në mënyrë unanime, Senati i PLL vendosi që të përjashtojë nga anëtarësimi në PLL z. Ekrem Spahiu dhe disa protagonistë të kësaj përpjekjeje, me motivacionin “Për shkelje të rënda politike që dëmtojnë rëndë imazhin e partisë Lëvizja e Legalitetit”.
 
Zyra e shtypit e PLL