slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

Promemorie

Drejtuar:
Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Z. SajmirTahiri

Për dijeni:
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani
Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta
Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama

Zoti Ministër,
Më 7 Prill 2014, sipas informacioneve në media, 3 persona të ngarkuar nga subjekti politik “Partia e Punës e Riorganizuar”, kanë tentuar të rrëzojnë me kavo metalike shtatoren (bustin) e Mbretit Zog I që ndodhet në Bulevardin Zog I, Tiranë.

Drejtuesi më i lartë i subjektit politik “Partia e Punës e Riorganizuar” ka marrë përsipër kryerjen e këtij akti, madje ka deklaruar se ka vendosur që në të ardhmen ta realizojë patjetër këtë akt.

Zoti Ministër,
Veprime te tilla ekstremiste të qarqeve të caktuara bien ndesh me rendin kushtetues dhe ligjet e vendit. Në një shoqëri pluraliste dhe demokratike respektohen të drejtat, liritë dhe bindjet e gjithsecilit, përderisa nuk shkelin dhe cenojnë liritë, bindjet dhe ndjeshmëritë e të tjerëve.

PLL konsideron se Mbreti Zog I hodhi realisht themelet e shtetit shqiptar dhe jetësoi pavarësinë e vendit, dhe se Monarkia ka qenë forma qeverisëse më eficiente gjer më sot. Madje, roli i Mbretit Zog I është vlerësuar edhe nga Shteti Shqiptar dhe shumë politikanë të të gjitha bindjeve politike. Ne nuk i imponohemi askujt që të përqafojë domosdoshmërisht idetë tona dhe të jetë detyrimisht i ndjeshëm për simbolet dhe figurat që pëlqejmë dhe nderojmë ne; por funksionojmë brenda një rendi demokratik duke zbatuar rigorozisht rregullat e lojës politike dhe rendin kushtetues.

Ne nuk besojmë kurrë se subjekti politik që inicion veprime të jashtëligjshme, duke qenë anëtar i koalicionit të maxhorancës, përfaqëson idetë dhe bindjet e kësaj maxhorance.


Ndaj u drejtohemi Ju, Zoti Ministër, që të ndërmerrni të gjitha masat dhe veprimet konkrete, qoftë politike, qoftë pjesë e detyrës Suaj si Ministër i Brendshëm, për t’i prerë rrugën veprimeve të tilla destruktive që cenojnë rëndë ndjenjat, bindjet dhe besimin jo vetëm të legalistëve, por të qindramijëra shqiptarëve brenda kufijve shtetëror si dhe në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë, nga Australia gjer në Amerikë.

Ne si subjekt politik jemi treguar mjaft të matur dhe të vetë përmbajtur, pasi kredoja jonë politike është bashkëkohore dhe i shërben kohezionit shoqëror e paqes sociale dhe jo anarshisë e destabilizimit. Në sajë të kësaj kredoje politike, ne nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim konkret, madje as polemizues, që do të trazonte gjakrat, por besojmë në institucionet e shtetit demokratik, siç besuam 11 vite më parë kur iniciuam nismën për Statusin e Familjes Mbretërore që u miratua me konsensus nga të majtët dhe të djathtët.

Zoti Ministër,
Kemi bindje të plotë se qëndrimi ynë i matur do të kuptohet drejt nga institucionet e shtetit si kontribut për demokracinë, shtetin ligjor e që i shërben situatës aktuale dhe integrimit të vendit tonë në BE dhe kurrsesi si dobësi.

Ne jemi plotësisht të bindur se Ju, dikasteri që drejtoni, madje dhe maxhoranca, do ta vlerësoni me përkushtim maksimal këtë promemorie.

Me shprehjen e konsideratës së lartë,

Sulejman Gjana
Kryetar i PLL