slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

Sot paradite, në Muzeun Historik Kombëtar, partia “Lëvizja e Legalitetit” organizoi një Akademi Përkujtimore me temë: “7 Prilli, - Ditë zie dhe krenarie”. Në këtë aktivitet morën pjesë LT Princ Leka II, drejtues të PLL në qendër e rrethe, legalistë, studentë, simpatizantë të PLL dhe qytetarë të Tiranës.

Duke ju referuar datës 7 Prill 1939, kryetari i PLL Sulejman Gjana tha se, “Periudha 15 vjeçare e stabilitetit politik, e zhvillimit dhe përparimit, gjatë të cilëve edhe u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar nën drejtimin e Mbretit Zog, u ndërpre prej pushtimit nga Italia fashiste, e cila në kundërshtim me të gjitha traktatet dypalëshe, ligjet dhe konventat ndërkombëtare për respektimin e integritetit dhe sovranitetit tokësor, me 7 prill 1939 pushtoi pabesisht vendin tonë.
Atë ditë, përveç faktit që Shqipëria humbi pavarësinë, diktatura fashiste ia bëri djepin diktaturës komuniste dhe në bilancin fundor këto të dyja së bashku shkaktuan një numër të frikshëm viktimash ndër shqiptarët, gjatë LDB dhe periudhës komuniste.”

Z. Gjana vijoi duke shtuar se, “ ... e kujtojmë 7 Prillin për të nderuar me përulësi rezistencën heroike dhe heronjtë e kësaj rezistence ndaj pushtimit, me në krye Heroin legjendar Abaz Kupi. Rezistencë disaditore kjo që tronditi dhe mrekulloi mbarë opinionin ndërkombëtar, e që u pasqyrua për javë të tëra në pothuajse gjithë shtypin botëror, që glorifikoi meritueshëm luftën heroike dhe gjakun e derdhur të zogistëve dhe kombëtaristëve shqiptarë.”

Në mënyrë të posaçme z. Gjana theksoi se, “Apologjetëve të historiografisë sllavo-komuniste, që për 50 vjet kanë propaganduar se Mbreti Zog e shiti Shqipërinë tek Italia fashiste, u kujtojmë sot se ata që shesin atdheun shpërblehen për tradhtinë nga hasmi dhe nuk dënohen me vdekje e nuk kërcënohen ushtarakisht, sikurse Mbreti Zog dhe shteti shqiptar në vitet 1931-1935 dhe më 7 Prill 1939. Atyre nuk u grabitet kurora e sovraniteti në favor të një mbreti tjetër, aq më tepër i huaj, e sidomos pa abdikim.”

Z. Gjana vuri në dukje se, “Pas shpalljes së pluralizmit politik dhe hapjes së vendit e arkivave, veprimtaria e Mbretit Zog doli në dritën e diellit si e paqortueshme dhe thellësisht atdhetare, sidomos në momente vendimtare për Shqipërinë, siç ishte pushtimi fashist i 7 Prillit.
Tashmë edhe akuzat e stërvjetëruara dhe të dala boje, nuk po gjejnë konfirmim në dokumentacionin arkivor të ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme apo Arkivit Qendror të Shtetit.”

 

***

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, z. Gjana ja kushtoi situatës aktuale në të cilën ndodhet vendi dhe kombi shqiptar. Në mënyrë mjaft të sintetizuar z. Gjana bëri një analizë të thellë dhe transmetoi publikisht qëndrimet dhe doktrinën e PLL për këto çështje e që frymëzohen nga filozofia zogiste dhe shembulli i shtet-ndërtuesve të vërtetë të këtij vendi, që kanë në themel çështjen kombëtare, zhvillimit dhe forcimin e shtetit dhe të institucioneve, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomike, politike dhe kulturore të qytetarëve shqiptar.

“PLL mendon se integrimi evropian kërkon si parakusht zhvillimin nëpërmjet identifikimit dhe shfrytëzimit të rezervave të zhvillimit brenda vetë trojeve dhe popullit shqiptar, në Shqipëri dhe përtej kufijve.

Shtetarët e mëdhenj dhe mendjet e ndritura, shqiptarë ose jo, kanë argumentuar se kombi shqiptar me burimet njerëzore e materiale që disponon, është i vetëmjaftueshëm (autosufiçient) për ekzistencë dhe zhvillim kah bota e përparuar ku synon të integrohet.
Por klasa politike e pluralizmit në tranzicion nuk ka arritur të ndërtojë shtetin dhe institucionet e veta, për shkak të dominimit prej interesave të pushtetit.

Sot shteti është inefiçient, i varur totalisht nga politika dhe pothuajse i molepsur nga korrupsioni me prapavijë dhe koperturë politike në të gjitha nivelet dhe institucionet. Administrata vuan nga politika dhe qytetari e ndjen veten të huaj, i pa përfaqësuar nga shteti i tij dhe i diferencuar në ndihmë dhe të drejtat themelore.

Drejtësia konsiderohet e korruptuar dhe e nënshtruar nga politika. Ajo nuk ka asnjë mundësi të funksionojë sipas ligjit, të varet nga ligji dhe të japë drejtësi sipas ligjit.

Të drejtat e qytetarëve shiten e blihen dhe askush nuk përgjigjet për shkeljet e hapura të parimit të barazisë para ligjit.

Në rrafshin pasuror shqiptarët janë ndodhur në pozita të pabarabarta para ligjeve, ku shpesh injorohet e drejta e shenjtë e pronësisë.

Ligji 7501 është një ligj antikombëtar, që ka mbjellë vëllavrasjen dhe pabarazinë përballë kushteve të mbijetesës në kapitalizmin allashqiptarçe, në raport me pronën si burim jetese.

Pronarët e ligjshëm që komunizmi i likuidoi me mburrje si klasë, duke përdorur metoda staliniste, sot sërish kanë mbetur pa pronën e trashëguar, e cila është përvetësuar me ligje të padrejta e të keq zbatuara dhe shpesh herë me korrupsion.

Privatizimet, strategjike e jo strategjike, në përgjithësi jo vetëm nuk kanë sjellë rritje të efikasitetit ekonomik, mirë menaxhimit, punësimit, rritje të gamës e sasisë së produkteve e shërbimeve, por shpesh kanë shërbyer vetëm si troje, tulla, tjegulla e skrap për privatizuesit klientelë e politikës. Shumica e pronarëve të trojeve janë përjashtuar nga e drejta e privatizimit, me anë të formulës së famshme të përshpejtimit të qëllimshëm të privatizimit dhe pengimit të procesit të kthimit të pronës.

Pseudoreformat në sistemin arsimor kanë sjellë rrënimin e dijes dhe cilësisë së arsimimit, duke prodhuar padituri dhe mungesë kompetiviteti në krahasim me kërkesat e tregut tejet të pamjaftueshëm shqiptar dhe ato tejet të larta të tregut ndërkombëtar të punës.
Sistemi shëndetësor i është larguar pacientit nëpërmjet ndërtimit të rrjetit spitalor në qendrat e mëdha urbane dhe shitblerja e këtij shërbimi i ka shndërruar pacientët në klientë, duke rrezikuar seriozisht jetën e këtyre klientëve sidomos në zonat e thella.”

Ndotja dhe kequshqyerja në kushtet e varfërisë ekstreme, kanë rritur numrin dhe shkallën e rrezikshmërisë së sëmundjeve vdekjeprurëse e atyre që shkaktojnë invaliditet.
Mos përcaktimi i minimumit jetik, propaganda boshe për 10-fishim të GDP për frymë në dy dekadat e fundit, ka sjellë rritjen e mjerimit dhe përdorimin e ndihmës ekonomike si mundësi përfitimi të padrejtë.

Pyjet dhe ekuilibrat ekologjikë janë shkatërruar, duke shkaktuar mbi ndotje të ajrit, ujërave tokësorë e mbitokësorë, duke shkatërruar jo vetëm burimet ekonomike dhe ato të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, por e kanë sjellë situatën mjedisore në kufij ekstremë, athua se kemi super industri petrokimike e kimike, apo aksidente bërthamore.

Ligji 7501 dhe politikat e dështuara agrare të zhvillimit të prodhimit bujqësor e agroturizmit, jo vetëm shkatërruan fondin e tokës dhe kanalizimeve në këmbim të trojeve për ndërtim, por e kanë çuar prodhimin e përgjithshëm bujqësor në nivele 4 herë më të ulëta se ato të kohës së komunizmit, duke dëshmuar se pasardhësit e komunistëve janë shumë më të paaftë se edhe vetë paraardhësit e tyre.

Sot nga privatizimet e panumërta strategjike, ideatorët, zbatuesit dhe apologjetët nuk gjejnë një rast të vetëm për të dëshmuar se privatizimi ishte i suksesshëm dhe siguroi investime të mëdha kapitale, teknologji të përparuar dhe efikasitet ekonomik me rritje të të ardhurave për arkën e shtetit, në raport me subjektet para privatizimit.

Në kundërshtim me mësimet e shtetarëve të mëdhenj për vetëmjaftueshmërinë ekonomike të faktorit dhe kombit shqiptar dhe synimin tek avantazhet kompetitive me tregjet e tjera, politikat dritëshkurtra kanë rrënuar ekonominë e shqiptarëve në të gjitha anët e kufijve administrative.
Pavarësisht emigrimit të 1/3 të popullsisë dhe krahut të aftë për punë, në kushtet e shkatërrimit të tregut të punës dhe mundësive për punësim, qeveritë nuk kanë mundur të përballojnë me programe zhvillimi prurjet e reja të tregut të punës. Kësisoj papunësia ka arritur në nivele kritike, sidomos tek rinia, çka ka sjellë rritje të varfërisë dhe kriminalitetit me sfond ekonomik.

Për legalistët punësimi nuk sigurohet me slogane elektorale për krijimin e 250 apo 300 mijë vendeve të reja të punës.

Pabarazia e qëllimtë në garën kapitaliste, margjiinalizoi dhe distancoi nga shanset e integrimit shtresën e të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë, të cilët u trajtuan me frikë dhe urrejtjen e dikurshme klasore, për shkak të origjinës së paragjykuar dhe frikës për rehabilitimin e saj në kushtet e barazisë së shanseve për edukim. Atyre iu mohua dhënia e incentivave ekonomikë me përparësi në punësim dhe privatizim, sidomos në kushtet e moskthimit të pronës legjitime.
Në pluralizëm, urrejtja kundër këtyre dy shtresave që zhvilluan dhe shpëtuan Shqipërinë nga armiqtë historikë, ishte ndëshkimi pasues për shkak të kontributeve atdhetare dhe bartjes së genomës kombëtariste, nga e cila trembeshin armiqtë historikë dhe rivalët ekonomikë që emëruan dhe hierarkuan klasën politike me anën e Ramiz Alisë. Themi kështu sepse nuk ka shpjegim tjetër përjashtimi nga gara politike deri më 22 mars 1992 të partive nacionaliste Legaliteti e Balli, të cilat më pas i përçanë e u grabitën votat deri në defaktorizim, ndërkohë që vendin e tyre e zunë parti me sfond etnik e të të gjitha llojeve.”


***
Në Akademinë Përkujtimore “7 Prilli, - Ditë zie dhe krenarie” që organizoi sot partia “Lëvizja e Legalitetit”, pati edhe tre kumtesa me karakter krejtësisht historik dhe përkatësisht:
Nga Prof. Bajram Xhafa, - Qëndresa e 7 Prillit 1939, vepër e Mbretërisë Shqiptare.
Nga Prof. Muharrem Dezhgiu, - Qëndrimi i Mbretit Zog ndaj pushtimit fashist të Shqipërisë.
Nga Prof. Rudina Mite, - Marrëdhëniet Shqiptaro - Italiane në vitet 30.

Profesorët e nderuar, në pozita neutrale dhe në mënyrë shkencore, hodhën dritë mbi përpjekjet e Mbretit Zog I për t’i bërë ballë qysh nga fillimi i viteve ’30 synimeve kolonialiste të Italisë, organizimit prej Tij të rezistencës antifashiste dhe përpjekjeve të pandërprera në emigrim përkrah aleatëve anglo-amerikanë.