slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

Tiranë, më 28 Dhjetor 2013

 

Deklaratë e PLL

Deklarimi i këshilltarit tonë në këshillin bashkiak të Tiranës si këshilltar i LSI nuk na ka habitur dhe nuk na ka shqetësuar aspak. Pas zhvillimit të Kuvendit të XVIII të PLL (24 Nëntor 2013), fryma e të cilit përcaktoi që partia “Lëvizja e Legalitetit” të kthehet në bazat e veta tradicionale ideologjike dhe politike, është e pritshme që individë të ndodhur rastësisht në PLL për shkak të rrethanave oportuniste dhe klienteliste, të shfrytëzojnë rastin e parë për të devijuar besimin e PLL dhe elektoratit të djathtë në drejtim të interesave personale. Personi në fjalë, ka ardhur në PLL në vitin 2011, kandidoi për kryetar të PLL në Kuvendin e XVIII ku mori vetëm 23 vota dhe largohet prej saj me zgjedhje personale.

Në tërësi, Partia Lëvizja e Legalitetit e konsideron tjetërsimin e vullnetit të elektoratit më së paku si një akt të pamoralshëm dhe, kur bëhet fjalë për kalimin nga njëri kamp politik në tjetrin, si një akt tradhtie.

Partia Lëvizja e Legalitetit i ka paraprirë me kohë këtij shqetësimi. Qysh para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, ajo ka kërkuar që në amendimet e Kodit Zgjedhor të caktoheshin pengesa ligjore për trafikimin e mandateve.

Trafikimi i mandateve deformon vullnetin politik të elektoratit dhe e demotivon atë për të votuar. Arena politike po kthehet në një pazar të turpshëm ku po krijohen modele të shëmtuara dhe ku po spikat një stereotip. Partia Lëvizja e Legalitetit i bën thirrje klasës politike shqiptare që të ndërgjegjësohet për dëmet që i sjell demokracisë trafikimi i mandateve dhe mos ta stimulojë këtë ves të turpshëm.

 

Sulejman Gjana
Kryetar i PLL