slide1.jpg
slide2.jpg
slide3.jpg

Tiranë, më 26 Tetor 2013

Avokati i Popullit nuk mund të bëhet avokati i djallit

Partia Lëvizja e Legalitetit përbuz me neveri iniciativën personale të “Avokatit të Popullit” për ligjërimin e  martesave gay dhe e konsideron atë më së paku një lajthitje të tij që i buron nga nevoja për protaganizim publik ose interesa të ngushta personale.

Partia “Lëvizja e Legalitetit” i kujton të ashtuquajturit “Avokat i popullit” se iniciativa që kërkon të ndërmarrë bie ndesh me misionin e institucionit që përfaqëson për të cilin ligji përcakton se “Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje.”

Duke dashur të shpikë “të drejtën e martesave gay” që nuk përcaktohet kurrkund dhe që është e kundërshtuar dhe e debatuar edhe në shoqëritë më liberale, i ashtuquajturi “Avokat i popullit” bie ndesh me paracaktimin universal dhe hyjnor që e konsideron martesën si bashkim të një burri dhe një gruaje.

Partia Lëvizja e Legalitetit e ka të qartë se, z. Igli Totozani, për prirje të brendshme, interesa të veta ose të tjerëve,  është vazhdimisht i gatshëm që të bëjë “atentate” ndaj moralit shoqëror dhe traditave më të mira shqiptare. Por partia “Lëvizja e Legalitetit” nuk mund të lejojë që institucioni i Avokatit të Popullit të kthehet në avokat të djallit.