Mirëserdhët tek faqja e PLL
Partia "Lëvizja e Legalitetit" është një parti kombëtare me qendër në Tiranë. Ajo është besnike e kujtimit dhe e frymës së burrave të Rilindjes dhe të Pavarësisë tonë Kombëtare të etur për lirinë e pavarësinë e tokës Arbërore, besnike e virtyteve të fisit, trashëguese e traditave të besës, të nderit dhe të burrërisë, e mbështetur në fuqinë e shenjtë të familjes, në moralin dhe në zakonet më të shëndosha të vendit me bazë ideje dhe veprimi " Atdheu mbi të gjitha".
PLL është parti e njerëzve të lirë që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit.
Ajo është vazhduesja e ligjshme dhe e drejtpërdrejtë e Organizatës Kombëtare "Lëvizja e Legalitetit" e krijuar në zjarrin e Luftës kundër nazi-fashistëve në nëntor të vitit 1943 si pasuese e idealeve të Triumfit të Legalitetit më 24 dhjetor 1924.Me dëbimin e pushtuesve nazi-fashistë dhe me uzurpimin me dhunë të pushtetit nga komunistët kjo Parti mbijetoi dhe zhvilloi në Botën e Lirë aktivitetet si formacion i organizuar politik për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura sllavo-komuniste, për pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera të robëruara, për rivendosjen e Monarkisë në Shqipëri dhe në favor të çështjes kombëtare në përgjithësi .Lexoni më shumë >>>
Historiku
Origjina e Lëvizjes Legaliste lidhet ngushtë me ngjarjet politike të viteve 1920-1924 dhe me veprimtarinë e aktet e figurës më të ndritur të shtetit shqiptar, Ahmet Zogut, në fillim si komandant ushtarak për mbrojtjen e kufijve të shtetit, më pas si Ministër i Brendshëm, e në fund si Kryeministër.
Në lidhje me emrin Legalitet, peshën kryesore në këtë kontekst e mban data 24 dhjetor 1924, kur forcat qeveritare, të kryesuara nga Ahmet Zogu, Komandant i Operacionit të Posaçëm, arrijnë të rikthejnë në pushtet qeverinë e ligjshme të kryeministrit Iljaz Vrioni. Kjo ngjarje njihet si Triumfi i Legalitetit.
Në vështrim retrospektiv, Triumfi i Legalitetit konsiderohet si data e konsolidimit të një grupi politik me tipare të spikatura, që janë njëherazi “legaliste”, “zogiste”, dhe “mbretërore”. Ndërkohë mund të themi se në aspektin historik, Legaliteti është një formacion me tipare e synime të theksuara kombëtare, të cilat i gjejmë të shprehura në veprat e kryera dhe programet e shpallura të kësaj force politike që me daljen në skenë e zhvillimin e Kongresit të Lushnjes më 1920, e në vazhdimësi.
Pjesë e Legalitetit si formacion politik mund të konsiderohet Partia Popullore, e cila pati jetë në vitet 1921-1924 si edhe organizata Krahu Kombëtar, e krijuar rreth vitit 1914. Militantët e këtyre dy formacioneve, në periudha të ndryshme historike, kanë qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të Lëvizjes Legaliste në Shqipëri.
Lexoni më shumë >>>

